Art & Kulturë

‘Lini’ i Vendbanimeve më të vjetra në Evropë

Nga Daniela Kostandini – Liqeni i Ohrit është një ndër liqenet më të vjetër, më të mëdhenj dhe më të thellë të Ballkanit, që ndodhet në kufirin midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Është i njohur për biodiversitetin e tij të jashtëzakonshëm dhe është shpallur Trashëgimi Botërore e UNESCO-s.
Liqeni ka një histori të pasur dhe zonat rreth tij kanë qenë të banuara që mijëra vjet më parë.
Dëshmitë arkeologjike tregojnë se bujqësia u zhvillua në rajonin përreth Liqenit të Ohrit gjatë periudhës neolitike, afërsisht 8,000 deri në 4,500 p.e.s..
Fermerët e hershëm ishin pjesë e fenomenit më të madh kulturor të njohur si Revolucioni Neolitik, i cili shënoi kalimin nga gjuetia dhe grumbullimi, në komunitetet e bujqësore. Bujqësia solli ndryshime të rëndësishme në shoqëritë njerëzore, duke përfshirë kultivimin e kulturave të tilla, si: gruri, elbi dhe bishtajore. Gjithashtu u zhvilluan format e para blegtorale, si: zbutja e kafshëve (delet, dhitë dhe gjedhët). Ky kalim nga një mënyrë jetese nomade tek komunitetet e qendrueshme bujqësore pati ndikim të rëndësishëm për qytetërimin, duke çuar në zhvillimin e vendbanimeve të përhershme, shfaqjen e hierarkive sociale dhe themelimin e shoqërive.
Një ekip hulumtues nga Universiteti i Bernës ka arritur të datojë saktësisht themelet e banesave në fshatin Lin të Pogradecit, buzë Liqenit të Ohrit. Arkeologët kanë dalë në përfundimin se këto janë banesat më të vjetra në mbarë Evropën dhe ndërtimi i tyre daton në mes të mijëvjeçarit të V-të p.e.s..
Mbetjet nën ujë janë një trashëgimi e vyer për arkeologjinë para-historike. Kështu, grumbujt prej druri me të cilët janë ndërtuar themelet e këtyre banesave janë ruajtur në mënyrë të shkëlqyer: në mungesë të oksigjenit, ato nuk u gërryen nga bakteret ose kërpudhat. Druri i ruajtur në këtë mënyrë është shumë i përshtatshëm për ekzaminimet dendrokronologjike, të cilat përcaktojnë moshën e drurit, dhe për rrjedhojë periudhën në të cilën u ndërtuan vendbanime.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *